Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar sot se do të nisë vlerësimi psiko-social fillestar për çdo mësues në sistemin arsimor.
Ajo tha se do të ndërmerret një fushatë ndërgjegjësimi për ndalimin e dhunës në shkollë dhe trajtimin e çdo rasti specifik me në fokus nxitjen e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe gjithë komunitetit shkollor për të denoncuar dhunën apo abuzimin.
Njoftimi i ministres Evis Kushi.
Pas një takimi me drejtuesit e njësive të shërbimit psiko-social nga të gjitha zyrat vendore arsimore, si dhe konsultimeve me ekspertë e Ministrisë së Arsimit angazhohemi që:
– së shpejti të bëhet një vlerësim psiko-social fillestar dhe periodik për çdo mësues në sistemin arsimor;
– të ndërmarrim një fushatë të re ndërgjegjësimi “Stop Dhunës në Shkollë” për parandalimin dhe trajtimin e çdo rasti, me fokus nxitjen e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe gjithë komunitetit shkollor për të denoncuar dhunën apo abuzimin;
– të respektohen me përpikmëri të gjitha aktet ligjore, nënligjore dhe rregulloret në shkolla ku parashikohet largim nga detyra për çdo rast dhune apo abuzimi nga punonjësit arsimor.