Ka ndërruar jetë dje në moshën 90-vjeçare artisti me famë botërore Omer Kaleshi.
Bota intelektuale dhe artistike ndahet me njërin ndër artistët më të mëdhenj të hapësirës kombëtare dhe më gjerë.
Kaleshi ishte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut. Ai lindi në vitin 1932 dhe është piktor i njohur shqiptar me origjinë nga Kërçova e Maqedonisë.
Pas shumë udhëtimesh, pikturash dhe ekspozitash në Stamboll, Romë, Vjenë, Mynih, Londër, Selanik, Beograd, Hagë, në vitin 1956 vendoset përfundimisht në Paris ku vazhdoi të krijojë, ekspozojë dhe të jetë vazhdimisht i kërkuar për tablotë e tij.
Ish-diplomati Luan Rama në Paris shkruan se Kaleshi nuk arriti dot ta përfundonte autoportretin e tij.
“Omer Kaleshi nuk arriti ta mbarojë autoportretin e tij! Dy ditë parë duke folur me video me Omer Kaleshin më pyeti se kur do të shkoja ta shikoja në shtëpinë e tij në Stamboll. Në fillim të majit, i premtova. Por sot mora vesh se dje miku im i mrekullueshëm nuk do ti shihte më krijimet e tij, pikturën që aq shumë e deshi.
Një piktor që nuk punon thua se ka vdekur, më thoshte shpesh në spital si ta ndjente këtë. Dhe kishte të drejtë. Njëzet vjet më parë kisha shkuar me të të shikonim varrin e prindërve të tij rrethuar nga selvitë jo larg Bririt të Artë.
Më së fundi Omer Kaleshi shkoi dje të përshëndesë atin dhe nënën e tij pranë Bririt të Artë, buzë Bosforit. Atelieri i tij mbeti jetim përjetësisht. Ai nuk do të lutet më para tyre, pasi krijimi për të ishte një lloj lutje. Autoportretin e fundit që la mbi kavalet, mbeti i pambaruar!”