Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar një takim në një biznes Call Center në Tiranë, për të biseduar me të rinjtë mbi mbështetjen që programi zgjedhor i LSI ofron për biznesin dhe punësimin.
Ajo u shpreh se pavarësisht shkollimit që kanë të rinjtë, Call Center-i është një lloj biznesi që ofron një pagë shumë të mirë.
“Pavarësisht se çfarë shkollimi bën, Call Center sot është një lloj biznesi që ofron një pagë shumë të mirë. Vërtet ti merr një prioritet në degët e universitetit, por kur mbaron universitetin, prapë je i paqartë se cilat janë hapat që do të hedhësh në vijim, dhe ndoshta kjo pjesa e Call Center është edhe një gjë e mirë,” tha Kryemadhi.
Kryemadhi ndër të tjera tha se një nga programet e LSI është ‘Mëso dhe Fito’, kështu të rinjtë kanë mundësi që perveç shkollimit të kenë mundësi edhe për të qartësuar idetë e tyre se çfarë rruge do të ndjekin në të ardhmen.
“Ne prandaj e kemi të përfshirë edhe në programin tonë, me ‘Mëso dhe Fito’ që mund të jesh edhe në shkollë, por edhe punon, për të krijuar në këtë mënyrë një lloj mundësie edhe për të qartësuar idetë e tua për atë rrugë që do të ndjekësh nesër.”
Pjesë nga bashkëbisedimi i Kryemadhit:
“Shpeshherë mungesa e objektivave dhe e planeve na ka bërë që jo vetëm të rrimë në vend, por edhe të kthehemi mbrapsht në objektivat tona.
Për mua është hera e parë që hyn në një biznes të tillë. Kemi shumë miq që kanë Call Center. Kisha dëgjuar, por nganjëherë njerëzit duhet t’i shohin, t’i prekin gjërat vetë dhe faktikisht është një hapësirë që ndoshta mund të krijojë një mundësi të mirë punësimi, me një pagë të mirë paguar, por ndoshta edhe duhet ta vrasim pak mendjen, sepse sikurse ju keni sjellë risi përsa i përket ndihmës që i jepni klientëve me kreditë, apo shitjen e siguracioneve, të mos rrimë thjesht në kuadrin e kësaj, por të dalim edhe në kuadrin e krijimit të out-sourceve, që janë tepër të domosdoshme.
Në fakt në një farë mënyrë i ka India, por edhe vende të Bashkimit Evropian, që janë vetëm gjysmë ore larg dhe mund të jenë out-source që rrisin të ardhurat tek ne, por krijojnë edhe mundësi zhvillimi.
Përveç çështjes së orareve, është edhe çështja e pagesave, të cilat krijojnë mundësinë për shitjen e produkteve, të cilat kanë cilësi të lartë, pagesë të mirë, por edhe janë të garantuara në pagesa përsa i përket kompanive që janë këtu, por edhe punonjësve. Nga ana tjetër është shumë më e kollajshme të jetosh në Shqipëri, sepse edhe klima është shumë e mirë, janë afër familjeve të tyre.
Nëse Zvicra jeton me sistemet bankare, ne mund të jetojmë me krijimin e hapësirave apo të netëork-ut të IT-së edhe pse e gjitha bota tashmë po shkon drejt komunikimit virtual, teknologjisë. IT-ja është një nga punët më të paguara sot, por ne duhet ta kthejmë në eficiencë në mënyrë të tillë që të ketë garancinë e punës, por edhe cilësinë e mësimdhënies, por edhe të profesionistëve me një cilësi të mirë.”