Lideri i Aleancës Kosova e Re ka ofruar shpërblim për këdo që jep informacione që qojnë në arrestimin e të dyshuarit për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, Dardan Krivaqa, shkruan Gazeta Express.

Pacolli përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se ndihet i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë që ndodhi të dielën në Ferizaj.

“Unë ofroj shpërblim për këdo që i jep informacion të vlefshëm Policisë së Kosovës që çon në arrestimin e vrasësit të Marigonës. Si baba i tre vajzave, ndihem i trishtuar për këtë ngjarje të rëndë!”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e Dardan Krivaqës, i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ndërkaq qytetarët po mundohen t’i dalin në ndihmë organeve shtetërore për kapjen e tij.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj kërkon bashkëpunim nga qytetarët, për identifikimin dhe vendndodhjen e personit Dardan Emrush Krivaqa, i cili dyshohet për “Vrasje të rëndë” në Ferizaj.

Vrasja e rëndë, ka ndodhur dje më 22.08.2021 në Ferizaj, ku humbi jetën 18 vjeçarja M.O.