Policia Rrugore e Elbasanit, gjatë muajit shkurt 2024 ka vendosur 7 556 gjoba, ndërsa ka arrestuar 17 drejtues mjetesh, proceduar penalisht 9 të tjerë.
Sipas njoftimit të Policisë Rrugore të Elbasanit, “gjatë muajit shkurt 2024, si rezultat i kontrolleve të shtuara në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, duke përdorur pajisjet logjistike bashkëkohore, nisur dhe nga denoncimet e qytetarëve, për shkelje të ndryshme rrugore: janë arrestuar në flagrancë 17 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor””.
Ndërkohë janë vendosur 7556 masa administrative, të ndara konkretisht: 3701 për shpejtësi mbi normat e lejuara; 563 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;98 për mosdhënie përparësie këmbësorëve në vijat e bardha; 621 për mosvënie të rripit të sigurimit nga drejtuesit e automjeteve; 54 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e moto mjeteve; 37 për drejtim mjeti pas përdorimit të pijeve alkoolike; 1158 për parakalime të gabuara; 291 për parkime të gabuara, 215 nga këto raste të evidentuara nga makina inteligjente; 34 për mos kalim të këmbësorëve në vendin e përcaktuar për ta; 999 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor”, bëhet me dije në njoftim.
“Policia e Elbasanit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Drejtuesit e mjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë automjetin në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe të ulin shpejtësinë dhe respektojnë këmbësorët në rrugëkalimin e përcaktuar për ta.
Këmbësorët të respektojnë vijat e bardha dhe kalojnë në vendin e përcaktuar për ta”, njofton Policia e Elbasanit.