Rikthehen tensionet në ujërat dhe qiellin e gjirit të Tajvanit. 38 avionë lufte dhe 7 anije të marinës detare të Kinës që janë verifikuar në 24 orët e fundit kanë rrethuar ishullin, konfirmoi Ministria e Mbrojtjes e Taipeit.
19 nga mjetet fluturuese kanë shkelur vijën kufitare që nuk po respektohet më nga Pekini që nga gushti i kaluar, ose kanë hyrë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore.
Një dron kinez pa pilot ka fluturuar përreth Tajvanit, duke dëshmuar aftësitë e shtetit komunist për të sulmuar bazat bregdetare të ishullit, ndërsa në të njëjtën kohë ka kaluar në gjirin e Tajvanit edhe patrulla ajrore “Poseidon” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një prej mjeteve fluturuese ishte droni TB-001, që njihet dhe me nofkën “akrepi me dy bishta”, që kaloi fillimisht nga kanali Bashi që ndan Tajvanin me Filipinet, me pas fluturoi në lindje për të përfunduar drejt brigjeve kineze.
Rikthimi i tensioneve nga Pekini bëhet me qëllim për të treguar forcën dhe frikësuar ishullin se një pushtim mund të ndodhë së shpejti. Kina, që e sheh Tajvanin si një territor të sajin, ka shtuar presionin ushtarak në ishull në 3 vitet e fundit teksa përpiqet të detyrojë Taipein të pranojë pretendimet e saj për sovranitetin.
Lideri kinez Xi Jinping është zotuar që të marrë kontrollin mbi Tajvanin, qoftë edhe me forcë, ndërsa së fundmi urdhëroi forcat e armatosura që të trajnohen për luftime të vërteta, pas stërvitjeve të zhvilluara pranë ishullit muajin e kaluar.