Pak kohë pasi revolta e celulave të ISIS në burgun e Al Hassakah, në Siri, vijon të mbajë në tension rajonin verilindor, një shqiptar është identifikuar mes të ndaluarve.
Ali Musa Balliu i datëlindjes 1955 vijon të jetë në burgjet e Sirisë, ndërsa pak ditë më parë ai u ndalua nga forcat kurde pasi burgu ku qëndronte u shpërthye nga grupet terroriste në tentativë për të liruar pjesëtarë të ISIS.
Drama e familjes Balliu nisi kur djali i tyre, Idajeti, u nis drejt Sirisë dhe u vra si luftëtar i Shtetit Islamik në Alepo, në vitin 2015. Ali dhe Ruzhdie Balliu u nisën drejt Sirisë e ndërsa Ruzhdie Balliu arriti të dilte nga kampi Al Hawl, bashkëshorti i saj mbeti në Siri.
Ruzhdia ishte një nga shqiptarët të cilët ekipi i A2 CNN takoi në kampin famëkeq në vitin 2019. “Burrin nuk e di fare se ku është”, deklaroi në atë kohë. Ajo u riatdhesua disa vite më pas, përmes operacioneve të shtetit shqiptar.
Pak kohë më parë, lidhur me të nuk dihej asgjë, por të dhënat e fundit tregojnë se ai është gjallë. Ali dhe Ruzhdie Balliu u nisën në kërkim të djalit të tyre i cili u kishte thënë se do të studionte në Arabinë Saudite.
Prej 6 vitesh, burrë e grua mbetën atje në mes të luftës, pasi misioni për të kthyer djalin në shtëpi dështoi. Ruzhdie Balliu kërkoi rikthimin e saj nga kampi Al Hawl, ndërsa bashkëshorti i saj mbetet në burgun e Al Hassakah.