Policia e Librazhdit ka vënë në prang dy shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër. Të arrestuarit shtetasit Elvis Doda dhe Emanuel Pisha, të dy banues në Kamëz, bashkë me Gentjan Lleshaj banues në Lezhë, i cili është shpallur në kërkim, kanë vjedhur 110 000 lekë, në biznesin e shtetasit A. S., 58 vjeç dhe më pas janë larguar me një automjet tip “Seat” të marrë me qira. Gjatë kontrollit fizik nga policia, njërit prej të arrestuarve iu gjet dhe sekuestrua një shumë parash e dyshuar e vjedhur në biznesin e kallëzuesit.
Njoftimi i policisë Librazhd:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Volareka”, për zbardhjen e vjedhjes së një shume parash në një biznes, ditën e djeshme.
Identifikohen, lokalizohen në Belsh dhe vihen në pranga 2 autorë të dyshuar, njërit prej të cilëve, gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua një pjesë e parave të vjedhura.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e një 26-vjeçari, i dyshuar i përfshirë në këtë vjedhje.
Sekuestrohet dhe automjeti i marrë me qira, që u përdor nga autorët e dyshuar, për këtë vjedhje.
Menjëherë pas kallëzimit të bërë ditën e djeshme, nga një shtetas 58 vjeç, se në biznesin e tij në qytetin e Librazhdit, i kishin vjedhur një shumë parash, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të kësaj vjedhjeje.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, të kryera në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, si dhe me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, brenda disa orësh, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Volareka”. Gjatë operacionit u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar dhe si rezultat i mirëkoordinimit të punës me shërbimet e Stacionit të Policisë Belsh u bë lokalizimi në Belsh dhe arrestimi i tyre, konkretisht i shtetasve: E. D., 22 vjeç dhe E. P., 40 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Gjithashtu, për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi G. Ll., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet i përfshirë në vjedhjen e parave.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dje, rreth orës 10:45, kanë vjedhur 110 000 lekë, në biznesin e shtetasit A. S., 58 vjeç dhe më pas janë larguar me një automjet tip “Seat” të marrë me qira.
Nga kontrollit fizik, njërit prej të arrestuarve iu gjet dhe sekuestrua një shumë parash e dyshuar e vjedhur në biznesin e kallëzuesit.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. D., më datë 12.04.2024, ka vjedhur një shumë parash në dyqanin e shtetasit N. G., 59 vjeç, në fshatin Dragostunjë, Librazhd.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që këta shtetas dyshohen të jenë implikuar. Vijon puna edhe për kapjen e shtetasit G. Ll..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme