Drejtoresha e shkollës “Asllan Shahini”, është shprehur, në lidhje me ngjarjen fatale, ku një adoleshent mbeti i vrarë nga një sulm me thikë, pas një konflikti me bashkëmoshatarë të tij.
Ardiana Hasa, ka thënë për 15-vjeçarin Fatjon Bici se ka qenë një nxënës shembullor dhe se në asnjë moment nuk ka shkaktuar ndonjë problematikë, gjë të cilën e kanë thënë dhe nxënës të kësaj shkolle.
Hasa, tregon për Euronews që ngjarja e ka tronditur jashtë mase, sa edhe në intervistë ajo shihet në një gjendje të rënduar duke qarë, sakaq sjellë në vëmendje dhe dhimbjen kanë tani prindërit e Fatjonit.
Drejtoresha bën të ditur, që nuk ka pasur asnjë informacion për incidentin dhe se do të paraqitet në komisariat për t’u informuar më shumë.
Fatjon Bici, humbi jetën në një konflikt me 6 adoleshentë të përfshirë. Një konflikt i cili ka nisur ditë më parë, ku deri tani sipas informacioneve shkak kanë qenë tendencat negative të rrjeteve sociale.
Drejtoresha, Ardiana Hasa: Fatjoni ka mbaruar orën e gjashtë të mësimit, ka pasur fizkulturë, ka dalë nga palestra bashkë me mësuesin e fizkulturës, ka takuar roje dhe e ka pyetur për motrën e tij nëse ka ikur apo jo në shtëpi. Pas 20 minutash më merr dikush në telefon dhe më thotë të është vrarë një nxënës.
Shkova menjëherë në spital, takoj mjekun dhe më thonë që Fatjoni kishte mbaruar. Humbi jetën në spital. Edhe kushëriri i tij ka ikur drejt Tiranës. Unë tani isha dhe me familjarët e Fatjonit. Mua po më mbyt dhimbja, mendo prindërit e tyre. Na kanë marrë jetën e një fëmije shembullor.
Nuk i njoh personat e tjerë, pasi kanë qenë nga një fshat tjetër. Nuk kam ditur që mund të ketë qenë i përfshirë në konflikte, madje para një jave prindërit kërkuan të tërhiqnin letrat, sepse do shkonin në Greqi. E kam diskutuar dhe me mësuesit e tjerë, sa keq që një djalë i mirë si Fatjoni po na largohet. Jam e tronditur, nuk di ça të them.
Fatjoni nuk ka qenë asnjëherë problematik, asnjëherë nuk i kam tërhequr vëmendjen. Marko, nxënësi tjetër, nuk ka qenë problematik, po në krahasim me Fatjonin ka qenë çamarrok. Do të flas dhe në komisariat për të ditur më mirë se çka ndodhur.