Polifonia shqiptare 15 vjet në UNESCO, Meta dekoron në Mallakastër dy artistët
Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie solemne të organizuar në qytetin antik të Bylisit ,dy artistë të shquar të polifonisë shqiptare.
Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin Mjeshtër i Madh” zotin Guri Rrokaj “Për talentin e spikatur artistik në fushën e folklorit. Krijues, mbartës, studiues e interpretues virtuoz i këngës polifonike shqiptare. Për rolin e veçantë në kultivimin dhe përsosmërinë e këngës së trevës të Mallakastrës”, si dhe zotin Yzeir Llanaj memotivacionin :“Personalitet i shquar i kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur. Krijues, studiues dhe interpretues i polifonisë; drejtues e organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive dhe festivaleve folklorike brenda e jashtë atdheut”.
Presidenti Meta, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismaili, autoritetet vendore, Profesor Neritan Ceka, arkeologë të rinj, personalitete të artit e kulturës dhe dhjetëra banorë, vizitoi rrënojat antike të Bylisit, një prej kulmeve të qytetërimit ilir, duke u ndalur veçanërisht në Amfiteatrin e famshëm.
Në fjalën e rastit të mbajtur gjatë ceremonisë së dekorimit, Kreu i Shtetit u shpreh: “Jam i lumtur që jemi sot në Bylis,në këtë mrekulli që ndriçonqytetërimin tonë të lashtë në këto troje!”
“O i huaj mos ju shmang vështrimit nga bukuria e Bylisit”, do të gdhendej ky mbishkrim në një prej mureve të lashtë të këtij qyteti.
Ky elozh për këtë pasuri tonën të jashtëzakonshme na tundoi edhe ne sot, të organizonim këtu një aktivitet në nder të polifonisë.
Këtë muaj grupet polifonike të mbarë vendit festojnë 15-vjetorin e përfshirjes së polifonisë shqiptare në listën e pasurisë së kulturës botërore UNESCO.“